Albatlanta

RRENA KOLOSALE E 3.2 MILIARDĖ EUROVE
Mustafa Nano

Dëgjova lajmin mbi 3.2 miliardë eurot, që do të merren hua nga një mizëri bankash të huaja dhe mbeta i shushatur; dhe disi ligsht dhe i turpëruar, ngaqë pak ditë më parë kisha mbrojtur dhe argumentuar tezën, se Shqipëria e Sali Berishës nuk i ka kartat fort në rregull për të marrë borxhe. Dhe aty për aty doja që dikush të më bënte ca shpjegime. Çfarë po ndodh? Shqipëria ka sot një borxh publik qartësisht më të madh se sa pesë vite më parë (afro 60% e GDP-së thotë qeveria, afro 70% e GDP-së thotë opozita) dhe gati të gjithë bien dakord se jemi në pikën përtej së cilës nuk mund të shkohet. Por krejt papritur marrim vesh, se në një mbledhje qeverie janë miratuar “një sërë marrëveshjesh financiare me disa nga institucionet më të rëndësishme financiare europiane dhe ndërkombëtare, në vlerën e rreth 3.2 miliardë eurove, për financimin kryesisht të infrastrukturës rrugore në vend” (fraza në thonjëza është e marrë nga site-i i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë). Këto institucione financiare janë (i referohem sërish site-it të Këshillit të Ministrave): Banka Europiane e Investimeve, Banka Islamike e Zhvillimit, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim, Fondi i OPEC-ut, qeveria japoneze, Korporata Financiare Ndërkombëtare, Banka Gjermane e Zhvillimit, Banka e Detit të Zi, Fondet e Gjirit, qeveria austriake. Ndërsa veprat ku do të investohen 3.2 miliardë euro janë (gjithmonë nga i njëjti site): autostrada Tiranë-Elbasan, rrugët rurale, linja e interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë, linja tjetër e interkonjeksionit Tiranë-Shkup, një turbinë shtesë në hidrocentralin e Vaut të Dejës, disa ujësjellës, rruga e Arbrit, Boshti i Jugut, korridori i tetë, rruga Qafë Plloçë-Librazhd dhe ristrukturimi i gjashtë spitaleve.

Po përpiqem t’i jap vetë shpjegimet. Po e filloj duke vënë pak rend në mendimet e mia. Nëse do ta marrim seriozisht këtë lajm, do t’na duhet ta trajtojmë si një nga traktativat më të rëndësishme të natyrës financiare në historinë shtetërore të Shqipërisë. Nuk ka ndodhur kurrë, që me një të rënë të lapsit, buxheti i Shqipërisë “të pasurohet” me 3.2 miliardë dollarë, të cilat do të shtihen në punë për të financuar një seri veprash infrastrukturore me rëndësi të jashtëzakonshme, gjë që theksohet edhe në njoftimin kryeministror. Por nuk është vetëm kjo që e bën të rëndësishëm këtë lajm. Këto miliarda euro janë huara të marra nga qeveria (kjo është lënë të kuptohet) dhe kjo do të thotë, se borxhi ynë publik, i cili sot është i barabartë me rreth 8 miliardë euro, na rritet “brenda çastit” me 3.2 miliardë euro të tjera dhe kështu nga 60-70% e GDP-së shkon e bëhet sa GDP-ja vetë. Në këtë mënyrë ia kalojmë Greqisë dhe i afrohemi Italisë. E duke qenë se s’kemi këllqet e Italisë, rrezikojmë që të përfundojmë në theqafje më shpejt e më keq se sa Greqia. Të kuptohemi, nëse e gjithë kjo do të ishte e vërtetë. Por a është e vërtetë?

Është e çuditshme se si, por ky lajm medemek bombastik mbeti fare pa vëmendje. Nuk pati asnjë jehonë në mjedisin politik. Asnjë reagim. Asnjë debat. Asnjë shkrim. Të nesërmen e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, asnjë prej gazetave më të rëndësishme të vendit nuk e kish parë të udhës ta njoftonte në faqe të parë (duke përjashtuar “Shekullin”, që e kish ngucur brenda një kuadrati të kuq). Gazeta e re “Mapo”, edhe pse nuk e lajmëronte në faqen e parë, i kish kushtuar këtij lajmi gjysmën e sipërme të faqes 3, ku më i madh se sa shkrimi, ishte një fotografi e Kryeministrit Berisha dhe e ministres Bregu.

Dhe nuk mbaron këtu. Pardje fola në telefon me 5-6 ekonomistë, me të cilët konsultohem sa herë që nuk u jap dot dum pikëpyetjeve të mia në lëmin e ekonomisë dhe të financës në përgjithësi, e situatës ekonomiko-financiare të vendit në veçanti. Sikur ta kishin bërë me fjalë, më dhanë të njëjtën përgjigje: “Nuk ishte shumë e qartë ajo që tha Kryeministri; më jep pak kohë për të marrë ca informacion më tepër dhe pastaj flasim”. Por edhe më vonë, ndonëse e kishin lexuar lajmin për hesap të tyre, apo ishin konsultuar me miq më të përditësuar me çalltisjet e qeverisë, nuk ishin në gjendje ta kuptonin e shpjegonin deri në fund informacionin e marrë. Amá shifra e 3.2 miliardë eurove të marra hua nga bankat e huaja i linte gjithsesi si të topitur. Ngado e sido që t’i vish rrotull huasë në fjalë, ajo së pari është kolosale, e së dyti është barrë e rëndë që i shtohet barrës gjithashtu të rëndë të borxhit publik.

Po pardje më ra në sy një shkrim i Florjon Mimës në gazetën “Shqip”. E lexova dy herë, hëm ngaqë doja të ndriçoja veten mbi atë që ndodh brenda mazhorancës, hëm ngaqë doja të përputhja deklaratën e të parit të qeverisë me qëndrimet e një eksperti të mirinformuar afër tij. Nuk gjeta përkitje; përkundrazi, dukej sikur përfaqësonin/mbështesnin qeveri të ndryshme. Berisha, një ditë më parë, e kish ngritur borxhin publik në 90-100% të GDP-së, ndërsa deputeti i tij, ish.zv.ministër i Financave, këndonte një avaz tjetër: qeveria ka marrë zotimin ta zbresë borxhin publik në 50% të GDP-së. Në të njëjtën ditë e po në gazetën “Shqip”, Ridvan Bode i binte, jo një avazi tjetër, por një cyrle tjetër: refuzonte një ofertë huaje të bërë nga ana e FMN-së. Po për ç’arsye refuzojmë ofertën e FMN-së, teksa jemi duke kërkuar e marrë borxhe nga banka e fonde jo fort të dëgjuara e jo fort të besueshme? A mos vallë këto të fundit na japin hua me interes e me kushte më të favorshme se sa ato që jep FMN-ja?

Dhe ja, ku dolëm te një pikë interesante. Kryeministri flet për huara të marra nga lloj-lloj bankash, të cilat (huatë) kapin nivele marramendëse dhe nuk na thotë dy fjalë lidhur me termat e kushtet e tyre, nuk na thotë se me ç’normë interesi duhen shlyer këto huara, kur fillon livrimi i huasë, në ç’hark kohor shtrihet ajo, ç’detyra e ç’detyrime kanë palët në njërën apo tjetrën rrethanë. Dikush mund të mendojë, se këto nuk janë detaje kryeministrore; këto mund të gjenden në tekstet e marrëveshjeve të miratuara midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe këtyre bankave, fondeve, qeverive të huaja. Epo mirë, ju ftoj të futeni në site-in www.keshilliministrave.al, aty ku normalisht duhet të gjenden dhe detaje të tilla. Dhe çfarë do gjeni? Do të gjeni, se gjithë-gjithë, bash atë ditë që Kryeministri na hodhi fytyrës shifrën trallisëse 3.2 miliardë euroshe, janë lidhur vetëm katër marrëveshje, njëra me një bankë austriake me emrin Unicredit, e dyta me Bankën Islamike, e treta me Fondin e OPEC-ut dhe e katërta me Bankën Europiane të Investimeve. Nuk duhet të kemi pikën e dyshimit, se të katërta kanë dashur muaj të tërë për t’u finalizuar dhe kjo do të thotë se nuk kanë të bëjnë asnjë çikë me gjoja besimin që qeveria shqiptare ngjall në ditët e sotme (këtë na tha Kryeministri duke rrahur gjoksin) në mjediset financiare ndërkombëtare. Marrëveshja e parë është për financimin e modernizimit të 6 spitaleve rajonale, ndërsa tre të tjerat janë për ndërtimin e rrugëve rurale. Kaq. S’ka më. Fundi i fabulës.

Tekstet e marrëveshjeve mund t’i kërkoni, por nuk keni për t’i gjetur dhe kështu nuk do të merrni vesh se sa të mëdha janë këto hua dhe se me çfarë kushtesh janë marrë. Kryeministri foli për hua të buta, por sa kohë që s’i kemi parë, kemi plot të drejtë të dyshojmë se mund të jenë bajagi të forta. Opozita dhe gazetat joqeveritare nuk do të bënin keq t’i kërkonin këto marrëveshje të miratuara. Ka shumë gjasa të mos dalin pa gjë nga ky “inkursion” i pamundimshëm në Ministrinë e Financave. Së pari, do të marrim vesh detyrimet që këto marrëveshje vënë për palën shqiptare, d.m.th për qeverinë tonë. Nuk është çudi që ndonjëra prej këtyre kredive të jetë e natyrës komerciale, d.m.th me norma të kripura interesi. Së dyti – dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi – është e sigurt, që do të dalë në shesh një rrenë e madhe. Nuk ekziston asnjë hua prej 3.2 miliardë eurosh. E gjithë kjo është një sendërgji e Kryeministrit, i cili atë ditë ka nënshkruar veç këto katër marrëveshje mbi huara modeste.

Po ta pyesë ndonjë gazetar Berishën mbi këtë ngjarje, ai me siguri do të thotë, se “unë nuk thashë që i kemi marrë 3.2 miliardë euro kredi; unë thashë që na janë premtuar”. Dhe është e kotë, që i njëjti gazetar të vijojë të pyesë veten, se “pse dreqin e bëri fakt të kryer këtë punë, teksa kjo punë është prit gomar të mbijë bar”. Është e kotë, pasi Berisha bën llogaritë e veta. Ai thotë një rrenë dhe ndoshta e harron shpejt atë që thotë, por mijëra e mijëra të tjerë që e dëgjojnë disa herë në ditë nga TVSH-ja e nga TV Klan-i nuk është e thënë që ta harrojnë; përkundrazi. Dhe ai i thotë këto gjëra pikërisht për këta të fundit, të cilët nuk dinë të bëjnë kollaj dallimin midis informacionit e dizinformacionit, së vërtetës e gënjeshtrës, rrenës e përgënjeshtrimit, shtetarit serioz e Kryeministrit mashtrues.

shqip | View webpage for this Publication

Return to the Publications Search Page

albatlanta.com