Albatlanta

Rexhep Qosja: Berisha ka qellime te zeza kunder Akademise
Rexhep Qosja
•  

Në ditët e fundit të vitit që lamë pas në Prishtinë, tërhoqi vëmendjen një bisedë e gjatë, e detajuar, analitike, herë-herë kritike, e ashpër
dhe e drejtpërdrejtë e akademikut të mirënjohur Rexhep Qosja. Bëhet fjalë për një intervistë të realizuar nga gazetari i “Epokës së re” Xhevdet Fetahu ku Qosja flet për zhvillimet e vrullshme të vitit 2007 në Kosovë, si e mendon ai Pavarësinë e Kosovës, një vështrim kritik mbi klasën politike atje, por edhe disa ndalesa të rëndësishme mbi deklarata e ngjarje mes shqiptarëve këtej e andej kufirit. Çështja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mjaft e debatuar në vitin 2007 sipas Qoses është një çështje që lidhet drejtpërsëdrejti me kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe interesa që lidhen me të, një çështje që nën trajtimin e akademikut Qosja na zbulon anë të panjohura të medaljes. Por është edhe një ndalëse e rëndësishme në këtë intervistë. A do të ndahen shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës në dy kombe? Cilat janë frikërat dhe dyshimet lidhur me këtë pyetje? A duhet të shpresohet e të ëndërrohet ende për bashkimin etnik të shqiptarëve?... Përgjigjet e Qoses rezervojnë
surpriza.

Si i vlerësoni zhvillimet në Kosovë në të gjitha fushat gjatë vitit 2007?
Kjo është pyetje shumë e gjerë. Dhe, e përbërë. Çështja e Kosovës ishte më shumë se kurrë e pranishme në politikën dhe në diplomacinë e fuqive të mëdha dhe në institucionet ndërkombëtare. Dhe, kjo çështje në këtë vit i është afruar një zgjidhjeje, që nuk është zgjidhje historike për popullin shqiptar, por është një zgjidhje për ne e pranueshme sepse është premtuese për zgjidhjen historike. Për zhvillimet e brendshme politike, shoqërore, ekonomike, kulturore mjerisht nuk mund të kem fjalë të mira. Sipas të dhënave të një organizate ndërkombëtare, Kosova, për nga korrupsioni, është në vendin e katërt në botë – menjëherë pas Shqipërisë shtetërore. Papunësia është tragjikisht e madhe – si viteve të përparme; numri i të varfërve që shtrijnë duart është rritur; gjendja në shërbimet mjekësore nuk është më e mirë se viteve të kaluara; gjendja në arsim vazhdon të jetë e rëndë; reduktimet në furnizimin me rrymë elektrike dhe me ujë janë më të mëdha se përpara; shëndeti moral i popullsisë vetëm sa përkeqësohet; kiçi dhe shundi u zënë frymën vlerave kulturore; luksi dhe shpërdorimet e zyrtarëve janë mbuluar me ligje! Krimi i organizuar s’pakësohet! E të këqija të tjera.
Jemi në fund të vitit 2007, cili është komenti juaj për rotacionin politik që rrodhi nga zgjedhjet e 17 nëntorit?
Ndodhi ajo që do të duhej të kishte ndodhur në zgjedhjet e para pas luftës: fitoi partia e përbërë prej çlirimtarëve dhe përkrahësve e ithtarëve të tyre. Elektorati u korrigjua, u përmirësua. Nuk jam i sigurt nëse është ky më shumë fryt i vetëdijes së ngritur të elektoratit apo i fushatës që bëri Partia Demokratike e Kosovës. Do të doja më shumë të ishte e para.

Shpallja e pavarësisë
Zgjidhja e statusit të Kosovës nëpërmjet të KS të OKB-së thuaja është e pamundur, duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë. Jeni të mendimit se shpallja e pavarësisë është opsioni i vetëm i shqiptarëve shumicë në Kosovë dhe kur mund të bëhet kjo?
Kush e shikon politikën ruse në vija të gjata ka mundur të supozojë se Rusia, me të drejtën e vetos, do ta bëjë të pamundshëm pranimin e Planit të Ahtisarit e kjo domethënë njohjen e pavarësisë (qoftë edhe të mbikëqyrur) të Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Nuk do pritur, natyrisht, se ajo do të ndërrojë qëndrim. Nuk them se shpallja e pavarësisë, ashtu si e kuptojnë pavarësinë e Kosovës disa shtete sot, është i vetmi opsion i shqiptarëve në Kosovë. Por, meqenëse SHBA-të dhe Bashkimi Evropian e përkrahin vetëm Planin e Ahtisarit, atëherë mendja politike e thotë se edhe ne duhet të pajtohemi me atë Plan, i cili edhe formalisht e pavarëson Kosovën nga Serbia. Pavarësia sipas atij Plani do të jetë e mbikëqyrur për një kohë. Pas kësaj kohe, zgjatjen e së cilës nuk mund ta dimë sot, ajo do të bëhet pavarësi sovrane. Natyrisht sovrane aq sa mund të jenë sovrane shtetet e vogla në botën e sotme me organizme të ndryshme politike, ekonomike e të tjera ndërkombëtare. Pavarësinë, sipas mendimit tim, do të duhej shpallur sa më parë e kjo sa më parë domethënë ditën me të cilën pajtohen SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Çdo hap që do të bëjmë në këtë drejtim do të jetë i bashkërenditur me to. Shpallja e pavarësisë është një fjali e Kuvendit të Kosovës,por çështja është që këtë pavarësi ta njohin SHBA-të, shtetet kryesore të Bashkimir Evropian e shtete të tjera në botë dhe, për ne me rëndësi, edhe disa shtete në Ballkan. Do të ishte mirë që për ditën e shpalljes së pavarësisë të jenë bërë edhe kushtetuta, ligje, simbole, e punë të tjera që atë pavarësi të shpallur do ta bënin vërtet të denjë.

Kush dëshiron që shqiptarët të ndahen në dy kombe
Tirana zyrtare ka dalë me deklaratën se shqiptarët e Kosovës e ëndërrojnë Brukselin e jo Tiranën. Mendoni se shqiptarët e Kosovës vërtet po kosovarizohen?
Nuk e kam dëgjuar, as nuk e kam lexuar atë deklaratë. Por, supozoj se ka vetje qoftë në institucionet shtetërore, qoftë në opozitë në Tiranë që mund ta shqiptojnë atë deklaratë. Kjo bëhet, sigurisht, për t’ua mbushur mendjen diplomatëve dhe shtetarëve amerikanë dhe evropianë se shqiptarët e Kosovës nuk dëshirojnë dhe nuk ëndërrojnë të bashkohen me Shqipërinë. Shpresojnë se kështu atyre u jipet një frymëzim më shumë për të njohur pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Nga pikëpamja politike dhe diplomatike deklarata e tillë është plotësisht në rregull sado nuk do të duhej të dilej me “figura të tilla”, sepse edhe diplomatët e shtetarët evropianë, edhe ata amerikanë e dinë mirë çka kanë në zemër shumica e shqiptarëve. Ka një problem tjetër, ndërkaq, që lidhet me këtë deklaratë. Mendoj që si në Kosovë ashtu edhe në Shqipërinë shtëtërore ka një numër njerëzish në politikë dhe në rezerva të saj intelektuale që në thelb me gjithnjë e më pak qejf shikojnë drejt Tiranës – këta të Prishtinës dhe gjithnjë e më pak qejf drejt Prishtinës – ata të Tiranës. Shikimin e tyre e përcaktojnë interesat e tyre të ngushta, qomethënë karriera e tyre politike, shkencore, kulturore e të tjera. Para një kohe kisha për vizitë, në Institut, një grup profesorësh nga një universitet veropian. U habita kur i dëgjova se me çfarë entuziazmi flisnin për krijimin e kombit të ri kosovar. U dëshpëruan kur iu thash se ky është një iluzion i feudalëve tonë politikë dhe intelektualë. S’ka komb kosovar, ka komb shqiptar edhe në Kosovë.
Keni frikë se po lind një komb i ri ndërmjet shqiptarëve. Këtu kujtoj një deklaratë tuajën kur keni marrë shembullin e Gjermanisë dhe Austrisë për Shqipërinë dhe Kosovën?
Pse të frikësohem? Asnjë shqiptar që nuk do të donte ta ndërronte kombësinë shqiptare me “kombësi kosovare” nuk ka përse të frikësohet. Askush, asnjë vetje, asnjë organizatë, asnjë shtet sot, në epokën e demokracisë, nuk mund t’ia marrë kujt të drejtën që të quhet e të rëgjistrohet çka është a çka dëshiron të jetë. Por mendja ime e thotë se as nuk janë punë të mençme, as nuk janë punë të frytshme përpjekjet për krijimin e dy kombeve nga kombi historik shqiptar. Ka kaluar koha feudale kur prej gjermanëve etnikë janë krijuar dy kombe: kombi gjerman dhe kombi austriak.
Me pavarësinë e Kosovës mendoni se po shuhet ëndrra e shqiptarëve për të qenë bashkë në një shtet etnik?
Mendoj se pavarësia e Kosovës i shton shumë mundësitë që ëndrra e shqiptarëve për bashkimin e saj me, si thuhej prej shumë brezave të atdhetarëve shqiptarë, nënën Shqipëri, të bëhet njëmendësi.

Kur kryeministri nëpërkëmbë Akademinë e Shkencave
Qeveria e Shqipërisë i ka paraqitur Kuvendit një projektligj të ri për disa reforma të reja në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Nuk kam dëgjuar se deri tani keni shprehur mendim në lidhje me këtë projekt – ligj. Në qoftë se është kështu a mund të na e thuani tani mendimin në lidhje me këtë çështje shumë të debatueshme në qarqe politike e intelektuale në Tiranë.
Para afërsisht një viti Qeveria e Sali Berishës ka bërë një projekt-ligj që ka nxitur diskutime e pakënaqësi për reformën e Akademisë së Shkencave. Pa paragrafet që i ka quajtur jokushtetuese Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, ky projektligj është miratuar nga Kuvendi dhe ka marrë fuqinë e ligjit. Prej Akademisë janë nxjerrë institutet shkencore, kurse Akademisë dhe anëtarëve të saj u janë imponuar disa kufuzime të të drejtave, që nuk njihen në veprimtarinë e akademive të shkencave a të shkencave e të arteve në botë. Ky ligj është përgatitur dhe është miratuar pa bashkëpunimin e Akademisë,madje në kundërshtim me vullnetin e anëtarëve të saj. Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë pa ligj dhe me ligj e kanë cenuar autonominë e Akademisë së Shkencave.
Tani, pas afërsisht një viti, Qeveria e Sali Berishës përgatit një projekt – ligj të ri për Akademinë, me të cilin e shkel edhe më fort autonominë e cenuar të Akademisë dhe ia çon Kuvendit për, si është thënë, miratim me procedurë të shpejtuar!
Shtrohet pyetja: pse qeveria e kryeministrit Sali Berisha u bë aq shpejt e pakënaqur me ligjin e para një viti që kishte bërë vetë dhe përgatiti tani projekt-ligjin e ri, që duhet të miratohet me procedurë të shpejtuar në Kuvendin e Shqipërisë?
Përgjigja është dëgjuar jo vetëm prej disa anëtarëve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pakënaqësia e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë edhe pas reformës paranjëvjeçare ka degjeneruar në pezm kur ajo Akademi ka zgjedhur kryetar me shumicë të votave anëtarin e saj, ish-kryetarin e Shqipërisë, Rexhep Meidani. Ish-kryetari i Shqiipërisë, tani, kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shumë mosdurim për disa akademikë mes të cilëve duket edhe për Rexhep Meidanin dhe këtë mosdurim e ka dëshmuar duke qenë në pushtet dhe duke qenë në opozitë me shumë sulme ndaj tij. Të bëhet ai kryetar i Akademisë e Sali Berisha kryeministër – e kjo nuk mund të ngjajë! Për këtë arsye kryeministri trillon ligjin e ri me të cilin vë në sprovë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Kuvendin e Shqipërisë dhe opinionin intelektual shqiptar! Me këtë projekt-ligj të ri caktohet Komitet qeveritar për reformën e sërishme, urgjente të Akademisë pa pajtimin dhe pjesëmarrjen e Akademisë në përbërjen e tij, i cili:
e para, i nxjerr prej funksionit në Akademi anëtarët e saj mbi shtatëdhjetë vjeç e kjo domethënë i kthen në nëpunës shtetërorë;
e dyta, zgjedh anëtarët e rinj të Akademisë së Shkencave;
e treta, zgjedh Kryesinë e Akademisë, dhe
e katërta, zgjedh kryetarin e Akademisë, domethënë ndërron Rexhep Meidanin,
Teknologji pushtetore alla Xhugashvilli!
E gjithë kjo domethënë se Akademia bëhet zgjatim politik dhe administrativ i Qeverisë! E gjithë kjo domethënë se Akademisë i shuhet edhe pavarësia simbolike e lëre më reale! Është e qartë: Sali Berisha do të bëjë Akademi të veten, që do ta përdorë për nevojat e veta politike!
Nuk ka ka dyshim se frytet e këtij qëllimi mund të jenë shumë të zeza: i sillet dëm i madh veprimtarisë shkencore në Shqipëri dhe komprometim në sytë e inteligjencisë shkencore e politike evropiane. Partizanët e kryeministrit Sali Berisha po e akuzojnë Akademinë se është e organizuar si akademitë shkencore në Bashkimin Sovjetik. E kjo s’është e vërtetë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë është e organizuar në mënyrë plotësisht identike si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, kurse kjo Akademi është e organizuar në mënyrë plotësisht identike si akademitë e shkencave e të arteve në Slloveni, në Kroaci, në Maqedoni, në Mal të Zi, që askush, kurrë,nuk i ka quajtur të organizuara sipas modelit të akademive në Bashkimin Sovjetik.
Lexova disa shkrime në të cilat nxihet fort Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe nxihen akademikët e saj – shkencëtarë me vepra të rëndësishme e me prestigj krijues, shkencor dhe artistik në Shqipëri dhe jashtë saj. Por, është shumë e çuditshme pse këta autorë nuk e akuzojnë me asnjë fjalë “reformuesin” e Akademisë, ish – sekretarin e organizatës së Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha!
Mendja e shëndoshë e thotë se projekt-ligji i bërë nga Qeveria e Sali Berishës, i shtyrë për sprint miratim në Kuvendin e Shqipërisë, nuk duhet të miratohet. Opinioni shqiptar, inteligjencia shqiptare, rinia shqiptare, deputetët nuk do të duhej të lejojnë që një ligj i tillë, ligj skandal, që aq rëndë cenon pavarësinë e institucionit më të lartë shkencor të kombit shqiptar, që aq rëndë cenon lirinë dhe fyen dinjitetin e akademikëve, të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Letërsia në shkollat tona
Para disa ditësh në Institut u mbajt një sesion shkencor mbi letërsinë në shkollat e mesme dhe në fakultete. Është përshtypja se në media nuk iu kushtua kujdesi i duhur atij sesioni, në të cilin u trajtua një çështje e rëndësishme në arsimin tonë.
- Disa gazeta shkruan për atë sesion. Njëri nga televizionet, TV 21, e çoi gazetarin dhe ai bëri lajm të mirë për punimet e sesionit. Është e çuditshme, ndërkaq, që televizioni të cilit i takonte ta informonte opinionin tonë arsimor për atë sesion nuk çoi fare gazetar. Ky është televizioni ynë i vetëm publik: RTK-ja! Thash: është e çuditshme e në të vërtetë nuk është e çuditshme pse nuk e çoi gazetarin e saj në atë sesion RTK-ja. Për shkencën, artet dhe kulturën në RTK është përgjegjës një gazetar i vjetër, që i shërben një klani. I ka shërbyer në vitin 1981 dhe pas vitit 1981 dhe po i shërben edhe tani. Është rahabilituar gazetari dhe është rahabilituar klani edhe pse ishin aq të pranishëm në RTK kur të tjerë ndaloheshin a çoheshin në burgjet serbe.
Nga kumtesat e paraqitura në sesion u pa se letërsia në plan-programet e shkollave tona të mesme, në leximet letrare dhe në tekstet historiko-letrare është e paraqitur me shumë dobësi, të meta, deformime, favorizime, shtrembërime, mosdije, të pavërteta! U dëshmua se plan-programet, disa lexime letrare dhe disa tekste historike-letyrare janë kthyer në pronë të një klani, i cili në to glorifikon pjesëtarët e vet, vëllezërit e vet, kushërinjtë e miqtë e vet, bashkëpartiakët e vet dhe me to nxjerr shumë përfitime materiale. U konstatua se në njërin prej këtyre teksteve historiko-letrare mësohen nxënësit që t’i urrejnë disa shkrimtarë nga Shqipëria dhe nga Kosova, që nuk kanë mundur të mënjanohen plotësisht prej plan-programeve! Shkurt: çështja e plan-programeve, e leximeve letrare dhe teksteve historike-letrare në shkollat tona të mesme do vënë në rend të ditës të Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e kjo domethënë të ministrisë që është përgjegjëse për gjendjen skandaloze në plan-programet, leximet letrare e tekstet historiko-letrare të shkollave fillore e të mesme.

Heshtja
Gjatë vitit 2007 keni qenë thuajse i heshtur. Pse ka munguar zëri juaj në zhvillimet politike?
- Zëri im në zhvillimet politike nuk ka munguar,por ju, duket, nuk më keni lexuar.Kam dhënë disa intervista, kryesisht në gazetat e Tiranës dhe kam botuar një libër për çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi me titullin Rilindja e dytë. E shkrimet për çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi janë shkrime për zhvillimet politike. Por, mos pritni prej meje të futem në baticën e hatashme të shkrimeve dhe debateve për zhvillimet politike mbitokësore e nëntokësore që në thelb më shumë mistifikojnë se ç’sqarojnë.
Keni botuar një roman të ri këto ditë, me titullin Nata është dita jonë. Romanet tuaja po cilësohen si postmoderne. Atë që nuk e keni shprehur publikisht e keni theksuar nëpërmjet librave. Është e vërtetë kjo?
- Në veprat imagjinare shkrimtari, zakonisht i shpreh ato që nuk i bën ndryshe publike, por mund t’i shprehë edhe ato që i ka bërë publike. Gjuha e veprës letrare është gjuhë tjetër, është gjuhë e figurës dhe çdo gjë e shprehur me të domethënë se është shprehur ndryshe.

Na duhet politikë e rilindjes morale
Si e shihni të ardhmen e Kosovës dhe të popullit të saj qoftë kjo edhe vetëm për vitin 2008?
- Kosova bëhet e pavarur nga Serbia (por e varur nga SHBA dhe BE). Dhe, kjo s’ka se si të mos i sjellë lumturi çdo shqiptari jo vetëm këtu, në Kosovë, po kudoqoftë në botë. Lirohemi prej një padrejtësie të tmerrshme, shekullore, që ka prodhuar shumë pasoja, shumë dhunë, shumë pasiguri,shumë vdekje të parakohshme në jetën tonë!
Por, kjo lumturi që do të na sjellë shpallja e pavarësisë së Kosovës mund të jetë e shoqëruar me ndodhi, veprime, sjellje të vetjeve, grupeve në jetën tonë politike dhe shoqërore që të lumtur nuk na bëjnë. Te ne po ngjet që ministër të bëhet rrugaçi – rrugaçi me sjellje, me veshje, me veprime, me gjuhë! Te ne po ngjet që ministër dhe deputet të bëhet hajni ordiner! Te ne po ngjet që drejtor i institucionit publik të jetë ish-armiku i Kosovës së pavarur. Te ne po ngjet që zyrtarët të sillen si të ishte Kosova pronë private e tyre! Te ne po ngjet që grupe, klane të harlisura nga pushteti që disponojnë të ushtrojnë dhunë qoftë edhe në institucione ku nuk do të duhet të mbërrinte kurrë dora e tyre!
Orekset përvetësuese të njerëzve janë aq të shfrenuara saqë nuk po zgjedhen mjete për plotësimin e tyre. Jeta jonë sikur është bërë një shkretëtirë shpirtërore, në të cilën e larta dhe e ulta, e bukura dhe e shëmtuara, e ndershmja dhe e poshtra, e pastra dhe e ndyta ose janë përzjerë plotësisht ose i ndërrojnë vendet lehtë!
Kosova ka nevojë të madhe për rilindje shpirtërore dhe morale. Kosova ka nevojë të madhe për politikë të shëndoshjes. Domethënë: Kosova ka nevojë të madhe për alternativë.
Qeveritë e mëparshme nuk mund të bënin shumë për shëndetin e Kosovës, sepse çdo ministër, fatkeqësisht, mund të sillej si kryeministër! Dihet se kryeministri Agim Çeku nuk mund t’i ndërronte disa ministra të paaftë a të korruptuar që me dëshirë nuk do t’i mbante as një ditë në qeveri.
Qeveria e re e Kosovës duhet të bëjë politikën e rilindjes shpirtërore dhe morale, politikën e shëndoshjes së Kosovës. Kosova ka nevojë për një qeveri të fortë: të fortë në kuptimin e organizimit, të veprimit, të vendimmarrjeve dhe qeveri moralisht të shëndoshë. Ajo duhet ta dijë: nuk mund të bëhet gjë për shëndetin moral të Kosovës, për të mirën tonë të përbashkët, me ministra të sëmurë moralisht.
Bisedoi:
Xhevdet Fetahu



Printo
Ballkanweb | View webpage for this Publication

Return to the Publications Search Page

albatlanta.com